Gratë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shkencave dhe teknologjisë. Po të marrim të dhëna nëpër botë do të shohim që numri i femrave të diplomuara në STEM (shkencë, teknologji, ingjinieri edhe matematikë) është më i vogël në krahasim me atë të djemve. Ka shumë arsye pse ky diferencim midis vajzave dhe djemve ndodh në degët e shkencës. Për një gjë duhet të jemi të sigurtë që nuk ka asnjë provë që dallimet biologjike midis gjinive e bëjnë një gjini më të talentuar se një tjetër në një lëndë të caktuar.
Që kur jemi bebe shoqëria na vendos në koke idenë se vajzat kanë aftësi edhe interesa të ndryshme nga djemtë. Këtë e dallojmë në momentin kur na dhurohen lodrat e para për te luajtur. Një vajze i jepet gjithmonë një kukull ose arush për të luajtur ndërsa një djalit i dhurohen robotë dhe makina. Edhe më vone kur fëmijët rriten dhe janë në gjendje të ndihmojnë sadopak prindërit e tyre ndodh ky diferencim. Vajza shkon pas mamit tek kuzhina për të gatuar dhe bërë punët e shtëpisë ndërsa djali shkon pas babait për ta ndihmuar në garazh për të rregulluar ndonjë makineri. Këto veprime që shpesh bëhen padijeni janë shumë të gabuara dhe ndikojnë negativisht në zgjedhjet që këta fëmijë mund të bejnë për karrieren e tyre në të ardhmen.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është edhe njohja dhe admirimi i grave që punojnë dhe sudiojnë në STEM. Imagjino gëzimin që një vajzë e vogël mund të ketë kur sheh një grua që punon nje ne stacion kërkimor dhe që merret me zgjidhjen e ekuacioneve matematikore . Të shohësh njerëz që duken si ty atje jashtë duke bërë gjërat që dëshiron të bësh, të bën te besosh se është e mundur edhe për ty. Ekspozimi i vajzave, veçanërisht vajzave të reja, ndaj modeleve që punojnë, inovojnë, mësojnë dhe bëjnë zbulime në STEM është jetike për të ndihmuar në ruajtjen e interesit dhe këmbënguljes së tyre në këto dege.
Në rang global gratë janë pakicë në kërkime dhe hulumtime shkencore. Aktualisht, më pak se 30% e hulumtuesve në të gjithë botën janë gra ndërsa në Shqipëri, sipas të dhënave për vitin 2018, femrat hulumtuese përbëjnë rreth 44% e hulumtuesve në total. Sipas UNESCO-s vetëm 30% e të gjitha studenteve femra zgjedhin fushat e lidhura me STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë) në arsimin e lartë. Në Shqipëri, sipas UN Women, më shumë se 71% e studentëve të diplomuar në fushën e shkencave natyrore dhe matematikës janë vajza.Në 60% të shteteve të botës, për nxënësit 15 vjeç, djemtë performojnë më mirë se vajzat në shkenca dhe matematikë. Përkundrazi, në rastin e Shqipërisë vajzat performojnë më mirë se djemtë në të dyja. Ne duhet të jemi shumë krenar për këto të dhëna që e rendisin Shqipërinë në vendin e 8-të, nga 114 vende të botës për numrin më të lartë të femrave të diplomuara në shkenca,
Ndërsa fëmijët rriten, si sistemi arsimor ashtu edhe media duhet të rrisin ndërgjegjësimin për arritjet e femrave në fushën e shkencës, si dhe t’i ekspozojnë ato ndaj një grupi më të larmishëm personazhesh në libra dhe filma. Ne duhet të gjejmë mënyra për t’u treguar vajzave të reja se shkenca është argëtuese, interesante dhe është e tyre.Unë personalisht jam shumë krenare dhe me fat qe ndodhem në një gjimnaz ku po rritem dhe po edukohem nga gra jashtëzakonisht te talantuara ne degë të ndryshme të shkencave.
Punoi: Rigersa Pacani