You are currently viewing 1 vit në klubin e librit

1 vit në klubin e librit

 Klubi i librit ka të bëjë me promovimin e librit te nxënësit e fillores, duke i lexuar atyre libra përrallash apo novela për moshën e tyre. Gjë që gjithashtu nxit imagjinatën e tyre dhe mendimin kritik. Meqë përgjithësisht fëmijët sot janë mësuar me libra nga autorë të huaj ,dëshira ishte që të njihnin libra me përralla shqiptare. Anëtaret e këtij klubi çdo dy javë ditën e premte do të iknin në një shkollë fillore për të zhvilluar këtë aktivitet. Dy shkollat në të cilat u zhvillua ky aktivitet ishin shkolla 9-vjeçare ‘’Ismail Qemali’’ dhe ‘’Ndre Mjeda’’.

Aktiviteti im në këtë klub filloj me një klasë të katërt të shkollës ‘’Ismail Qemail’’ ,ndërkohë që libri të cilin vendosa ti lexoja ishte ‘’Përralla të moçme shqiptare ‘’ nga Mitrush Kuteli.Pas leximit të çdo përralle,bëheshin pyetje rreth saj dhe nëse e kishin dëgjuar më parë si përrallë nga prindërit apo gjyshërit. Fëmijët gjithashtu u nxitën të përdornin imagjinatën për të vizatuar në tabelë se si i imagjinonin personazhet. Përveç përrallave edhe gjëegjëzat, lojërat me labirinte të personazheve , puzzle-at e personazheve që kisha përgatitur për ta ,u bënë pjesë e asaj ore që unë zhvilloja me to.

Në fund të këtij aktiviteti 6-mujor,që praktikisht zgjati 2 tremujor të shkollës, organizuam një shfaqje me nxënësit ,ku ato mund të shprehnin talentin ose krijimtarinë e tyre ,duke vënë në skenë një përrallë, duke vizatuar personazhet e përrallës në fletë, duke kënduar apo duke recituar poezi. Fëmijët kanë punuar me shumë dëshirë për këtë projekt deri në ditën e fundit .Aktivitetin e ndoqën edhe disa  prindër të fëmijëve, të cilët dolën shumë të kënaqur nga shfaqja.

Klubi i librit ishte me të vërtetë një eksperiencë shumë e bukur  dhe e rrallë për mua,të cilën do të doja ta përsërisja pafund. Do t’jua sugjeroja të gjithëve që të merrnin pjesë në klube ose aktivitete të ndryshme përgjatë viteve të tyre të gjimnazit ,sepse janë me të  vërtetë eksperienca të papërsëritshme të cilat bëhen një nga bazat, në të cilat ne formojmë rrugën tonë në të ardhmen.