Falenderim dhe krenari për nxënësit e klasës së 11-C të gjimnazit “28 Nëntori”, Gerald Idrizi që i ofroi qytetit një projekt me të cilin kërkoi promovimin e vlerave turistike të Shkodrës tek çdo turist, me vetëm një skanim të kodeve QR që u vendosën në çdo cep të qytetit.
Website “Visitshkodra” i ndërtuar nga ai dhe që u reklamua me ndihmën e vetë nxënësve të gjimnazit, ka në përbërje një sërë opsionesh dhe shërbimesh, duke filluar që nga promovimi i çdo atraksioni turistik e deri tek shërbimet që ofron qyteti, të telefonosh taksinë, të kërkosh ndihmën e emergjencës, të gjeni një pikë këmbimi valutor e poashtu të merrni me qera një biçikletë, të gjitha këto me vetëm një klikim. Edhe hotelet e hostelet janë pjesë e këtij website, për turistët që kërkojnë akomodim.
Gjimnazi “28 Nëntori” dhe Geraldi nuk u mjaftuan me kaq por vendosën edhe harta orientuese të qytetit, në hyrje të Shkodrës nën emrin “Visitshkodra” ku mban në të majtën e saj kodin QR.
Dashuria e këtyre të rinjve për qytetin e tyre sollën një nismë e më pas një produkt që ka për qëllim që të shfaqë Shkodrën, më të bukur e më dinjitoze në sytë e turistëve e jo vetëm.